Rithemelohet bordi i ri i AKU-së – Krifca: Jo vetëm një detyrim ligjor por një shërbim aktiv e konkret!
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, ka njoftuar rithemelimin e Bordit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, për një kontribut konkret në detyrat e AKU-së i cili do të përmbajë në strukturën e tij vendimmarrëse kryesisht përfaqësues nga shkenca, prof. dr. pedagogë nga Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, etj.
Ministrja gjatë takimit vlerësoi faktin se struktura e këtij bordi, i cili po kthehet pas disa vitesh në një organ funksional, me bazë të fortë shkencore dhe teknike, do të ekzistojë jo thjesht si një detyrim ligjor, por për një shërbim aktiv e konkret, për ta çuar në një tjetër standard nivelin e ndërveprimit për garantimin e sigurisë ushqimore.
Krifca komunikoi se, në fund të këtij viti, i takon këtij bordi të shqyrtojë e të japë vlerësimin për projektplanin e menaxhimit të krizave të propozuara nga AKU e rrjedhimisht të vlerësojë edhe punën e menaxherit të këtij institucioni.
Sipas informacionit të publikuar drejtoresha e përgjithshme e AKU-së, Jeta Deda, paraqiti planin dhe objektivat e saj për mirëfunksionimin e AKU, me një këndvështrim të ri dhe të detajuar në funksion të sigurisë ushqimore.
Drejtuesja e AKU dhe bordi i ri, me mbështetjen e plotë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, njoftojnë se kanë nisur punën për një plan të suksesshëm veprimi me shumë sfida përpara, përfshirë edhe nevojën për ndërhyrje në ligjin aktual të ushqimit dhe hartimin e legjislacioneve të reja që nevojiten.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.