Rregulla për sipërmarrjet kolektive – Pr.ligji/ Si do të funksionojnë fondet e investimeve
Ministria e Financave ka hartuar dhe hedhur për konsultim një draft që synon të vendosë rregulla të qarta loje për sipërmarrjet e investimeve kolektive. Projektligji në fjalë rregullon themelimin, regjistrimin dhe veprimtarinë e shoqërive administruese të fondeve, të shoqërive administruese të sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike dhe të shoqërive administruese të fondeve të investimeve alternative në vend dhe është i përfaruar me direktivat e Bashkimit Europian.
Në draft, përcaktohet se sipërmarrje të tilla quhen kryesisht fondet e investimeve, shoqëritë aksionere ose shoqëritë komandite. Detyrim është që këto struktura të njihen si të tilla, duhet të licencohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Sa i takon regjimit tatimor, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe nga legjislacioni , sipërmarrja e investimeve kolektive, për qëllime tëtatimit, konsiderohet si pronari i titujve ose të gjitha aktiveve të sipërmarrjes, si dhe personi i fundit përfitues.
Të gjitha sipërmarrjet e investimeve kolektive dhe nënfondet e regjistruara ose të njohura nga Autoriteti sipas këtij ligji regjistrohen në një regjistër të posaçëm. Projektligji me 243 nene ende i papërfunduar, pas procesit të konsultimit pritet të kalojë për diskutim në komisionet parlamentare.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.