Rregulla strikte për tregjet e kapitalit – Financat hartojnë projektligjin me 378 nene
Ministria e Financave ka hartuar dhe hedhur për konsultim projektligjin “Për tregjet e kapitalit” që synon të rregullojë tregjet e titujve dhe mënyrën e kushtet për ofrimin, blerjen dhe shitjen e titujve në Republikën e Shqipërisë. Po ashtu, drafti në fjalë përcakton procedurat institucionale për rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregjeve të instrumenteve financiare për të garantuar që këto tregje të jenë efikase dhe transparente.
Projektligji përcakton se asnjë person nuk mund të ushtrojë veprimtaritë e rregulluara sipas tij, në territorin e Republikës së Shqipërisë, nëse nuk është person i licencuar, i regjistruar, i njohur ose i përjashtuar në zbatim të këtij ligji. Ushtrimi i veprimtarive të rregulluara në kundërshtim me sa më sipër përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim sipas dispozitave të Kodit Penal. Ndërkaq, drafti qartëson se bankat të cilat janë licencuar nga Banka e Shqipërisë për të ushtruar veprimtaritë financiare, mund të ofrojnë shërbime investimesh në tituj vetëm pasi të jenë licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për të ushtruar edhe këtë veprimtari.
Projektligji përcakton edhe rastet kur revokohet licenca nga ana e Autoritetit që kanë të bëjnë me shkelje të dispozitave ligjore apo informacione të rreme. Po ashtu, detyrohen të gjitha shoqëritë e titujve që të kenë sisteme, procedura dhe kontrolle për të identifikuar dhe menaxhuar konfliktin faktik ose të mundshëm të interesit dhe transaksionet me palët e lidhura. Në total drafti përmban 378 nene dhe ka prekur çdo element që ligjet me mirëfunksionimin tregjeve të kapitalit.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.