Rregullat e reja në futboll – Miratohet replay, zëvendësimi i katërt dhe të tjera

Federate angleze e Futbollit ka ndërmend të testojë një sistem me replay video për t’u ardhur në ndihmë arbitrave. Lajmërimi erdhi pas mbledhjes së të premtes të Bordit të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit.
Presidenti i FIFA Gianni Infantino u shpreh se qëllimi është të zbatohet asistenca me video që në Botërorin e Rusisë vitin që vjen. Ai konfirmoi se kjo teknologji do të përdoret dhe në Kupën e Konfederatave në qershor, si dhe në Botërorin U-20 në maj.
Replay-t u prezantuan për herë të parë në një ndeshje miqësore mes Italisë dhe Francës në shtator, si edhe mes Italisë dhe Gjermanisë në nëntor.
Ndryshime pritet të bëhen edhe në sistemin e gjuajtjes së penalltive, ku rezulton se ekipi që gjuan penalltinë e parë është shumë i avantazhuar.
Për këtë IFAB propozon gjuajtjen e penalltisë së parë nga një ekip, më pas ekipet do të gjuajnë nga dy penallti. Gjithsesi propozimi duhet testuar në kategoritë më të ulëta para se të fillojë zbatimin zyrtarisht.
Gjithashtu, duke nisur nga çerekfinalet e FA Cup, klubeve do t’u lejohet një zëvendësim i katërt gjatë kohës shtesë.
Në këtë mbledhje të mbajtur në Wembley, u miratua edhe propozimi për ndëshkimin me karton të verdhë lojtarëve që ofendojnë në stol, si edhe ligat amatore do të mund të kryejnë një pafundësi zëvendësimesh, si në basketboll.
Ndryshimi shihet si një lëvizje për të inkurajuar më shumë sportdashës të marrin pjesë në kampionatet amatore dhe të të rinjve.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.