Rregullimi i tregut celular, AKEP nuk vendos masa të reja
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka nxjerrë më në fund konkluzionet për analizën e tregut me shumicë të terminimit të thirrjeve në rrjetet celulare. Ky institucion thjesht ka lënë në fuqi tarifat aktuale që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit për terminimin e thirrjeve, ndërsa nuk ka vendosur asnjë ndryshim në masat e tjera rregullatore.
Albtelecom kishte kërkuar diferencimin e tarifave, në përputhje me pjesën e tregut të secilit operator, duke përcaktuar tarifa më të larta për Albtelecom Mobile dhe Telekom Albania krahasuar me Vodafone Albania. Albtelecom kërkonte gjithashtu që detyrimi për të aplikuar tarifa të njëjta për thirrjet dalëse, brenda dhe jashtë rrjetit, të qëndrojë vetëm për operatorin me fuqi të ndjeshme në tregun me pakicë, Vodafone Albania, ndërsa të hiqet për dy operatorët e tjerë.
Heqja e këtij detyrimi për operatorët që nuk kanë fuqi të ndjeshme në tregun e pakicës është rekomanduar edhe nga Autoriteti i Konkurrencës.
Por, AKEP nuk ka marrë parasysh asnjë prej këtyre propozimeve. Tarifa e terminimit të thirrjeve kombëtare qëndron 1.11 lekë për minutë, për të tre operatorët, ndërsa detyrimi i mosdiskriminimit për thirrjet brenda dhe jashtë rrjetit ngelet në fuqi për të gjithë. Në tërësinë e tyre, vendimet e AKEP, favorizojnë status-quo-në në tregun e shërbimeve celulare dhe përfituesi kryesor është operatori dominues, Vodafone Albania. Operatori Vodafone Albania ka forcuar pozitën dominuese në vitet e fundit, me pjesë tregu që varion nga 47% sipas numrit të përdoruesve aktivë, deri në 55% e matur sipas të ardhurave nga shërbimet me pakicë.
Ersuin Sehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.