Rregullore e re për bartjen e numrit – AKEP: Operatorët po bllokojnë shërbimin
Gjatë vitit 2017, shërbimi i bartjes së numrit është pothuajse i paralizuar. Sikurse TV SCAN ka raportuar edhe më herët, arsyeja kryesore është bllokimi i këtij procesi nga operatori dhënës. Për të mos humbur përdorues, ata e zvarrisin ose e pengojnë bartjen, kryesisht me argumentin e mospërputhjes së plotë të të dhënave të klientit aplikues me të dhënat e formularit të regjistrimit të numrit.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare raporton për një numër shumë të madh ankesash, si nga përdoruesit, ashtu edhe nga vetë operatorët, që denoncojnë praktika abuzive në procesin e portimit të numrit nga kompanitë konkurrente.
Duke marrë shkas nga kjo situatë, AKEP ka vendosur të ndryshojë rregulloren për portabilitetin e numrit. AKEP konstaton se, nga verifikimet e kryera, operatorët kanë keqpërdorur listën e arsyeve të parashikuara për refuzimin e kërkesës për bartje. Kjo sjellje e operatorëve ka krijuar barriera artificiale për pajtimtarët, duke ndikuar drejtpërdrejt në demotivimin e tyre për këtë shërbim si dhe ka zbehur rolin e portabilitetit të numrit, si instrument për zhvillimin e konkurrencës në tregun e telefonisë celulare.
Në dokumentin e hedhur për konsultim publik, AKEP përcakton se kriteri kryesor për identifikimin e pajtimtarit dhe kryerjen e bartjes së numrit do të jetë përdorimi i numrit personal të identifikimit. Me rregulloren e re, do të hiqet kriteri i refuzimit për shkak të mospërputhjes së emrit e mbiemrit të pajtimtarit në bazën e të dhënave të operatorit dhënës me kërkesën për portim.
Rregullorja e ndryshuar parashikon që koha e aktivizimit të numrit të portuar nuk duhet të jetë me gjatë se një 1 ditë pune nga koha e plotësimit të formularëve.
AKEP do të publikojë raporte periodike për portimet dhe perfomancën e secilit operator për portabilitetin, përfshirë afatet dhe numrin e refuzimeve. Gjithashtu, rregullorja parashikon edhe aplikimin e sanksioneve kundrejt operatorëve, në rast të bllokimit të paarsyeshëm të shërbimit të portabilitetit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.