Rrëshqitjet pranë rrugës nacionale Gjirokastër – Kakavijë/ Shpallet tenderi për mbrojtjen e pallateve dhe banesave
Bashkia Gjirokastër ka shpallur tenderin për masa inxhinierike për stabilizimin e rrëshqitjes së masës në Kodrën e Cfakës, pranë rrugës nacionale Gjirokastër – Kakavijë. Fondi i vënë në dispozicion është 53.4 milionë lekë.
“Zona ku ka ndodhur rrëshqitja, objekt i këtij studimi, gjendet në pjesën jugore të qytetit të Gjirokastrës, në krahun lindor-verilindor të kodrës së Çfakës, sapo kalon zonën e quajtur “Postblloku”, në të djathtë të rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavijë. Zonat më të rrezikuara nga rrëshqitjet e tokës në këtë kodër janë shpati verilindor dhe ai lindor i kodrës në lagjen “Punëtori”, ku është konstatuar zona me rrezikshmërinë më të lartë në shembjen e banesave ekzistuese si shkak i rrëshqitjes së masës në faqet e kodrës” shpjegohet në detajet e tenderit.
Nga ky investim, kërkohet të “mbrohen” banesa dhe pallate të zonës. Projekti do të manifestohet brenda një afati kohor 4 mujor, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.