Rreth 90 mijë teste për Covid-19, Manastirliu: “Do të vijojë fuqizimi i kapaciteteve laboratorike”
Ministria e shëndetësisë rrit në mbi 90 mijë teste të vëna në dispozicion të Institutit të Shëndetit Publik për identifikimin e rasteve të reja me COVID-19. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës në Institutin e Shëndetit Publik, ku pritet që së shpejt të instalohet një aparaturë e re testimi, tha se do të vijojë fuqizimi i kapaciteteve laboratorike në vend për ti bërë ballë situatës.
“Më shumë se 90 mijë teste janë të disponueshme në Institutin e Shëndetit Publik dhe do të vijojë fuqizimi i kapaciteteve laboratorike, qoftë nëpërmjet numrit të testeve, kiteve të laboratorit, gjithashtu dhe fuqizimit me aparatura të reja për ta fuqizuar këtë laborator për të përballuar atë që mund të vijë nesër. Çfarë është e rendësishme është që ne kemi një plan, kemi një strategji për forcimin e laboratorit të ISHP-së, por edhe për fuqizimin e laboratorit të QSUT-së. Gjithashtu kemi dhe një plan më afatgjatë në raport me testimin edhe në raport me gjurminin dhe hetimin epidemiologjik”
Sipas Manastirliut së shpejti fillon punën dhe laboratori i dytë në QSUT për testimet molekulare, ndërkohë që strategjia e përcaktuar nga ekspertët ka rezultuar e suksesshme por nevoja për bashkëpunim me të gjithë është e madhe
“Është shumë e rëndësishme në këtë fazë bashkëpunimi i qytetarëve. Është një strategji që ka rezultuar shumë efikase deri tani, por është një strategji që kërkon bashkëpunimin e të gjithëve”
Manastirliu apeloi për respektim të masave nga vetë qytetarët për të mos lejuar rritjen e mëtejshme të shifrave me COVID-19 duke vënë në rrezik jetën e gjithsecilit.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.