Rreziku nga “bursat” online – AMF i heq licencën Stock International Albania

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i ka hequr licencat e aktivitetit shoqërisë Stock International Albania, kompani brokerimi për investime në tituj. Kjo kompani ofronte ndërmjetësim për investime në bursë, përmes platformës stock.com., por prej muajsh kishte ndërprerë aktivitetin e saj.
Ky vendim erdhi pas mospërmbushjes së detyrimeve të lëna nga vendimi i mëparshëm i Bordit Drejtues të AMF-së. Nga inspektimet e kryera në vend, që prej mesit të muajit mars 2017, AMF gjeti se shoqëria “Stock International Albania” sh.a., në funksionin e saj si agjent i brokerit të licencuar ka mbyllur zyrën ku zhvillonte aktivitetin dhe ka larguar stafin, si pasojë e vështirësive financiare.
Rrjedhimisht, ajo nuk dispononte mjete teknike për të siguruar lidhjet me klientët. AMF kërkoi respektimin e afateve dhe procedurave ligjore, me qëllim dhënien kohë shoqërisë për të njoftuar të gjithë klientët e saj për mbylljen e aktivitetit, por shoqëria detyrimet e lëna nga AMF. Për rrjedhojë, Bordi i AMF-së, në mbledhjen e kësaj jave vendosi heqjen e licencave për shoqërinë “Stock International Albania”.
Në një njoftim zyrtar, AMF kujton edhe një herë se investimi në platformat online është një aktivitet i cili kërkon një shkallë të lartë të informacionit ekonomik dhe kulturës financiare. Investimi në platforma të tilla mbart me vete, krahas avantazheve të fitimit, edhe rrezikun e humbjes nga këto investime, prandaj investitorët duhet të jenë të ndërgjegjshëm për to dhe të marrin përgjegjësinë e investimeve.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.