Rrëzohen në ritestim shkelësit e rëndë të rregullave të qarkullimit rrugor – DPSHTRR: S’ka shpëtim përveçse riedukimit!

DPSHTRR ka publikuar një mesazh për humbësit e të gjitha pikëve të lejes së drejtimit, ata që me aktet e reja në fuqi për të rifituar të drejtën e patentës, duhet të regjistrohen nga e para në Autoshkollë e t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë.
DPSHTRR ka pritur 13 rastet e para, ku u paraqitën vetëm 6 aplikantë dhe që të 6-të u rrëzuan në testin e teorisë, çka i ridërgon ata nga e para në Autoshkollë për t’u ripërgatitur, dhe për t’u riparaqitur për testim brenda një afati 30-ditor.
Humbësit e të gjitha pikëve të lejes së drejtimit të cilët i nënshtrohen ritestimit përfshijnë rastet më të rënda të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor si: përdorimi i alkoolit ose i lëndëve narkotike gjatë drejtimit të mjetit, kalimi i semaforit me të kuqe, thyerje e normave të shpejtësisë, parakalime të gabuara e të rrezikshme që kërcënojnë jetën e përdoruesve të rrugës.
DPSHTRR i bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të respektojnë normat e qarkullimit rrugor sepse nëse do t’i humbin të gjitha pikët, do të rikthehen në Autoshkollë dhe më pas nën monitorim të rreptë, do ta rifitojnë patentën vetëm nëse nuk kanë mbi 3 gabime në pyetësorin me 30 fjali, si edhe nëse kalohet testi i praktikës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.