“Rrëzohet” rritja e 2 taksave – “Akciza e rërës bituminoze jo 1 lek/kg. Renta e kromit, rritje graduale me 1%”
Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese kërkon ndryshimin e 2 taksave të propozuara nga qeveria për vitin 2019. Taksa e parë ka të bëjë me akcizën e zhavorreve bituminoze, ndërsa e dyta për taksimin e kromit në eksport.
Fillimisht akciza për zhavorret bituminoze u propozua të ishte 2 lekë/kg, por pas kundërshtimeve të aktorëve të tregut dhe ndërhyrjeve të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, zbriti në 1 lekë/kg. Megjithatë, sipas deputetëve, edhe në këto nivele kjo taksë penalizon këtë industri, duke kërkuar që ajo të vendoset në nivelet 0.3-0.4 lekë/kg.
Ndërkaq, sa i takon rentës së kromit në eksport, e cila parashikohet të shkojë nga 6% në 9%, komisioni kërkon rritje graduale me nga 1% përgjatë3 viteve në vazhdim, duke krijuar një mundësi për rritjen e parashikueshmërisë së politikave fiskale për biznesin, dhe nxitjen e investimeve brenda vendit. Këto propozime do të diskutohen edhe në mbledhjen e së premtes ku parashikohet edhe votimi nen për nen i buxhetit të vitit 2019.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.