Rriten bizneset shqiptare në Itali – Me 1.4% në 2017, arrijnë në 31774

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë në Itali ka publikuar të dhënat më të fundit të bizneseve të të huajve të vend. Këto të dhëna, tregojnë se, deri më 31 dhjetor të vitit 2017, në Itali ishin të regjistruara plot 31774 biznese me pronar shtetas shqiptarë.
Në krahasim me vitin e kaluar kemi të bëjmë me një rritje me plot 1.4%, që nuk është aspak e papërfillshme po të marrim parasysh faktin se, Italia nuk është një vend në bum ekonomik e as një vend miqësor me biznesin. Kjo gjë duket se nuk i ka ndalur shqiptarët të vazhdojnë të hapin biznese të reja në vendin fqinj.
Shqiptarët janë të katërtit në listë sa i përket emigrantëve sipërmarrës, pas shtetasve nga Maroku, ata nga Kina dhe ata nga Rumania, duhet pasur parasysh se në këtë shifër nuk llogariten të gjithë shqiptarët që kanë një biznes, por vetëm ata që kanë lindur në vendin tonë.
Sipas bashkimit të dhomave të tregtisë, të huajt përfaqësojnë 42% të totalit të rritjes së bizneseve në vend. Bizneset e të huajve po rriten me një normë mesatarisht 5 herë më të lartë se ato të italianëve.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.