Rriten çmimet e dentistit?! – Urdhri i Stomatologut vendos çmime dysheme, Deda: S’janë detyruese

Urdhri i Stomatologut ka vendosur aplikimin e çmimeve dysheme për një sërë shërbimesh që ofrohen në klinikat dentare, ndërkohë që referuar listës së publikuar vihet re një rritje e tyre në krahasim me çmimet që aktualisht aplikohen, ndonëse këto të fundit variojnë sipas klinikës ku jepet shërbimi.
Për shembull, një mbushje e gradës së dytë, që përgjithësisht nëpër klinika kushton 3000 lekë, sipas çmimit dysheme të Urdhrit nuk mund të kushtojë më pak se 4 mijë lekë. Edhe pastrimi i gurëzave, që aktualisht kryhet me 1000-2000 lekë, sipas listës nuk mund të kushtojë më pak se 3000 lekë.
Megjithatë, sipas Urdhrit të Stomatologut këto çmime nuk janë detyruese. I kontaktuar nga TV SCAN kreu i Urdhrit, Nikoll Deda tha se aktualisht ata nuk kanë asnjë mekanizëm kontrolli për klinikat, ndërkohë që çmimet dysheme I shërbejnë qytetarëve për t’i orientuar drejt një shërbimi cilësor.
“Këto ҫmime reference krijojnë një rregullsi në tregun dentar dhe mbrojnë qytetarët nga kequshtrimi profesional. Ҫmimet e referencës nuk kanë asnjë fuqi detyruese në tregun dentar, por ato janë thjeshtë orientuese. Qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm kur shohin ҫmime që anashkalojnë këto kritere pasi rrezikojnë dëmtimin e shëndetit të tyre nga dentistë që kriterin kryesor kanë vetëm fitimin”.
Ndërkaq, pas publikimit të vendimit ka reaguar dhe deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu. I cili përmes një postimi në rrejtin Social ‘Facebook’, e vuri theksin te inekzistenca e mbulesës financiare për shërbimin stomatologjik.
Sipas tij, mbulesa nga buxheti i urgjencës stomatologjike si dhe i parandalimit, që janë te detyrueshme këto nga ligji, janë shume larg realitetit dhe te veshura me shume dyshime korruptive ne aplikim.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.