Rriten depozitat: Kalojnë pragun e një trilion lekëve!
Sezoni veror historikisht ka sjellë rritje të depozitave bankare. Të dhënat e muajit korrik e konfirmojnë edhe njëherë këtë tendencë sezonale. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të korrikut totali i depozitave të përfshira në treguesin e parasë së gjerë, kishte vlerën e një trilion lekëve, në rritje me 2.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nëse në 6-mujorin e parë të vitit rritja kishte ardhur kryesisht nga fondet në euro, për korrikun u regjistrua edhe një rritje e ndjeshme e depozitave në lekë, me 2.5 miliardë lekë më shumë krahasuar me qershorin. Sidoqoftë, depozitat në lekë ngelen në vlera pothuajse të njëjta me një vit më parë. Me bazë vjetore, rritja është mbështetur pothuajse tërësisht nga depozitat në valutë dhe kryesisht në euro.
Në fund të korrikut, depozitat në valutë kishin vlerën ekuivalente të 538 miliardë lekëve, në rritje me 4.7% krahasuar me një vit më parë. Ato vazhdojnë të dominojnë strukturën e depozitave bankare, me 54% të totalit.
Megjithë përpjekjet për të ulur nivelin e eurozimit dhe nënçmimin e monedhës europiane në kursin e këmbimit me lekun, sërish ajo vazhdon të jetë zgjedhja e parë e shqiptarëve për mbajtjen e kursimeve. Rritja e depozitave në euro reflekton në një masë të madhe flukset e larta hyrëse të valutës, sidomos nga investimet e huaja direkte dhe turizmi. Por, shpjegim pse depozitat po rriten kryesisht në valutë mund të jenë edhe alternativat e pakta të investimit në monedhën europiane.
Shumë shqiptarë i kanë investuar kursimet në lekë në fonde investimi, pensionesh apo edhe direkt në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare. Për euron, hapësirat janë më të pakta dhe kthimet nga investimi gjithsesi më të ulëta, çka bën që përgjithësisht kursimet në euro të mbahen në banka.
Ersuin Shehu/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.