Rriten euro dhe paundi britanik, rikuperojnë humbjet e së mërkurës – Dollari e monedhat e tjera në rënie të lirë

Ditën e enjte, tregjet e këmbimit valutor u hapën me një forcim të euros dhe paundit britanik kundrejt monedhës vendase. Euro, i cili të mërkurën kishte zbritur në nivelin e 133.1 lekëve, tashmë ka rikuperuar humbjet dhe shitet për 133.3 lekë e blihet me 133.9 lekë. Ky shënon nivelin më të lartë të javës dhe vjen para takimit të politikëbërësve të Bankës Qendrore Europiane.
Kundrejt lekut është forcuar edhe paundi britanik, i cili ditën e djeshme kishte rënë me 1.3 lekë. Tashmë valuta e Mbretërisë së Bashkuar këmbehet për 149.2 lekë dhe blihet me 150 lekë.
Nga ana tjetër dollari amerikan nuk ka mundur dot të frenojë rënien e nisur ditën e martë, madje e ka përshpejtuar duke u ulur me 0.4 lekë. Tashmë USD shitet për 112.7 lekë dhe blihet me 113.5 lekë.
Të njëjtin trend rënës e kanë ndjekur edhe valutat e tjera që tregtohen në vendin tonë. Luhatjen më të madhe e ka patur dollari kanadez, i cili ka humbur 1 lekë në këmbimin me monedhën tonë kombëtare. CAD shitet për 88 lekë dhe blihet me 89 lekë.
Dollari australian ka rënë me 0.4 lekë krahasuar me një ditë më parë e tashmë shitet për 86.6 lekë dhe blihet me 87.5 lekë. Në sesionin e ditës së nesërme kjo rënie pritet të vijojë për shkak të frikërave të investitorëve mbi politikat e bankës së rezervave të Australisë.
Edhe valuta zvicerane ka pësuar një rënie me gjysmë lekë, e tashmë franga shitet për 113.8 lekë e blihet me 114.5 lekë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.