Rriten fitimet e bankave – Ulja e kredive me probleme përmirëson rezultatet
Sistemi bankar përmirësoi më tej performancën financiare gjatë muajit maj. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 5- mujorin e këtij viti, sistemi realizoi një fitim neto në vlerën e 8.9 miliardë lekëve.
Fitimi është mbi dy herë më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Besohet se tendenca në rënie e raportit të kredive me probleme është një nga faktorët kryesorë që po favorizon përmirësimin e rezultatit financiar të sistemit bankar.
Në muajin maj, kreditë me probleme zbritën në 15.9% të totalit, niveli më i ulët në gjashtë vitet e fundit. Rënia e kredive me probleme ul shpenzimet e bankave për provigjione, duke kontribuar në rezultate financiare më të larta. Rrjedhimisht, tendenca rënëse e këtij treguesi pritet të ndikojë pozitivisht përfitueshmërinë e bankave edhe më tej gjatë këtij viti.
Sidoqoftë, sfida kryesore për sistemin bankar ngelet rritja e kreditimit, çka do të zgjeronte bazën e të ardhurave të bankave dhe do të mundësonte përfitueshmëri më të mirë në afatin e gjatë. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit maj kredia qëndroi sërish në rënie, me 1.2% më pak ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.