Rriten fondet e investimeve – 31 mijë qytetarë investojnë me “Credins Invest” e “Raiffeisen”
Ka shkuar në mbi 31 mijë numri i qytetarëve që kanë shfrytëzuar tregun vendas të fondeve të investimeve në 6 muajt e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në 30.06.2017, vlera neto e aseteve të Fondeve, arriti rreth 71.84 miliardë lekë me një rritje prej 6.4 miliardë lekë ose 9.81%, krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, numri i anëtarëve që kanë investuar në Fondet e Investimit deri në qershor 2017 është 31,396 me një rritje prej 7.27% krahasuar me një vit më parë. Rreth 99.98% e anëtarëve në fond janë investitorë individualë.
Ky treg dominohet kryesisht nga investimet në Obligacione Qeveritare, të cilat përbëjnë 62.77% të aseteve të fondeve, me një rritje prej 6.98% krahasuar me 31.12.2016.
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2017, në tregun e fondeve të investimeve ushtruan aktivitetin e tyre tre fonde investimi, përkatësisht fondi i investimeve “Raiffeisen Prestigj”, fondi i investimeve “Raiffeisen Invest Euro” të cilat administrohen nga shoqëria “Raiffeisen Invest” dhe fondi i investimeve “Credins Premium” nën administrimin e shoqërisë administruese “Credins Invest”.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.