Rriten gjobat për bizneset. Anti-informaliteti/ Kontroll duhanit, birrës, gazit e ndërtimit
Bizneset që shkelin legjislacionin tatimor do të përballen me gjoba më të larta, si masë shoqëruese në kuadër të planit operacional kundër informalitetit. Ministrja e financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, komunikoi vendimin e ri për rishikimin e gjobave.
Duke u ndalur tek aksioni informalitet, Denaj theksoi se pas sektorit të shërbimeve, do të ketë një vëmendje të shtuar ndaj industrisë së duhanit, birrës, gazit dhe ndërtimit.
Ndërkohë po gjatë këtij muaji do të kontrollohen mbi 1200 pika karburantesh dhe 3200 pompa, me qëllim që të gjitha të funksionojnë në regjim automatik.
Elisabeta Dosku/SCAN
Deklarata e plotë e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj:
Sot në mëngjes, zhvilluam mbledhjen e përjavshme të Komitetit ndërinstitucional të Planit Operacional Stop-Informalitetit, ku bëmë një bilanc të rezultateve të tij gjatë muajit Korrik dhe mënyrën sesi ai do të vijoi ai gjatë muajit në vijim.
Për periudhën në vijim, do të vazhdojë jetë e shtrirë në të gjithë sektorët e konstatuar me risk: hoteleri-turizëm, hidrokarburet, produktet e akcizës dhe ndërtimit, ku fokus kryesor do të jetë koordinimi më i mirë i strukturave drejt zbulimit të evazionit në shkallë më të gjerë.
Në sektorin Hoteleri-Turizëm, nga administrata tatimore janë inspektuar rreth 2000 subjekte, ku kanë rezultuar me probleme rreth 40% e tyre.
Nga kontrollet e zhvilluara nga Inspektoriati i Punës, në 1,400 subjekte të inspektuara me 10 600 punonjës në total, 38% e tyre rezultojnë me probleme në sigurimin e punonjësve.
Gjithashtu, në kuadër të procesit të formalizimit, jemi duke komunikuar me përfaqësuesit e platformës Booking.com, të cilët nuk kanë ende përfaqësues tatimor në vendin tonë për të formalizuar procedurat e deklarimeve të subjekteve shqiptare të regjistruara në këtë platformë.
Kjo periudhë ka shërbyer edhe si një moment analize përmes mbledhjeve të evidencave, ku konstatojmë se ka raste që disa subjekte mund t’i kenë shpëtuar masave të pezullimit si pasojë e vendimeve gjyqësore apo disa mekanizmave anashkaluese, duke na bërë të marrim masa për ndryshime në Kodin e Procedurave Tatimore. Dhe padyshim që përshkallëzimi i masave të gjobës do të jetë një alternativë për t’u konsideruar, përtej asaj të pezullimit.
Karburantet kanë qenë gjithashtu në fokus të Planit Operacional dhe rezulton se janë bërë kontrolle nga Administrata Doganore në 231 subjekte. Ka nisur kontrolli në të gjitha magazinat e lira në Porto Romano dhe ka mbaruar kontrolli në 4 magazina të Gazit të Lëngshëm, ku në 2 prej tyre janë konstatuar shkelje dhe janë marrë sanksionet përkatës. Paralelisht Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), ka nisur procedurën e inspektimit të të gjitha pikave të gazit me kontrolle që do të vijojnë që nga magazinat e lira deri tek pikat e mbushjes së gazit (autogazit).
Ndonëse vihet re ndërgjegjësim në sektorin e karburanteve, kemi nisur procesin e certifikimit të regjimit automatik në tregtimin e hidrokarbureve. Në gjuhën teknike procedura e “plumbçosjes”. Janë angazhuar në terren 7 grupe pune të cilat do të asistojnë me këtë procedurë deri në fund të muajit Shtator, 1200 subjekte që operojnë në fushën e karburanteve.
Sektori i cigareve është gjithashtu ndër prioritetet tona, dhe jemi në fazën e investigimit përmes strukturave operative për të identifikuar pikat e shitjeve dhe fabrikat e përpunimit, dhe së bashku me strukturat e tjera ligjzbatuese po përgatisim një plan të detajuar veprimi, i cili do të zbatohet në periudhën në vijim.
Për produktet e tjera të akcizës, siç janë pijet alkoolike, vazhdojnë kontrollet në magazinat fiskale dhe si në rastin e subjektit të birrës dje, nuk do të ketë asnjë tolerancë për këdo subjekt që abuzon dhe gjobat do të jenë shumë të rënda.
Në fushën e ndërtimit, nga sot ka nisur monitorimi i 160 subjekteve që kanë rezultuar me rënie në xhiro, janë përcaktuar gjithashtu 20 subjekte të mëdha në këtë fushë të cilat do të analizohen së bashku me specialistët nga Drejtoria e Krimit Ekonomik. Ndërkohë që vetëm për muajin korrik 2019 janë referuar në Prokurori, 10 subjekte me shkelje.
Gjatë këtij muaji, do të angazhohen në terren 200 studentë të sapodiplomuar të përzgjedhur nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, të cilët do të asistojnë në terren Strukturat e Monitorimit të Administratës Tatimore në kuadër të Planin Operacional kundër Informalitetit përmes ndërgjegjësimit dhe monitorimit të subjekteve në fushën e Hoteleri-Turizmit. Këtë javë do të jetë gati aplikacioni Stop-Informalitetit.
I gjithë plani operacional, synon formalizimin e ekonomisë shqiptare me qëllim që paratë e konsumatorëve të shkojnë për përmirësimin e shërbimeve ndaj tyre, për investime në arsim, shëndetësi, infrastrukturë publike dhe jo në xhepat e bizneseve abuzuese dhe tregtisë së padrejtë, të cilët cenojnë konkurrencën e ndershme dhe mirëqenien e individëve.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.