Rriten kostot për bypass Tepelenë – Autoriteti Rrugor Shqiptar planifikon tenderin me vlerë 468.3 mln lekë
Pavarësisht se bypass-i i Tepelenës tashmë është i hapur për qytetarët, punimet në këtë vepër infrastrukturore vazhdojnë, teksa kostot për përfundimin e saj po rriten. Autoriteti Rrugor Shqiptar planifikon të zhvillojë një tender me vlerë 468.3 mln lekë, që do të shkojnë për shtesë punimesh në këtë aks, ndërkohë që tipi i procedurës do të jetë me negocim, pa shpallje paraprake.
Mbetet e paqartë se cilat janë punimet shtesë që do të kryhen, por gjatë hapjes së aksit në datën 13 korrik të këtij viti, autoritetet njoftuan se me kërkesë të Bashkisë Tepelenë për plotësimin e projektit me elementë urbanë janë miratuar nga Këshilli Teknik i ARRSH-së edhe ndërtimi i një muri pritës për të mbrojtur skarpatën e Kalasë, si dhe ndërtimi i një pasarele përgjatë murit të Kalasë.
Gjithashtu në sheshin “Ali Pasha” parashikohet të ndërtohet një belvedere me stola dhe gjelbërim, e cila do të shërbejë për atraksion turistik, si dhe është parashikuar që të bëhet rikonstruksion i dy këmbëve të urës së vjetër romake mbi lumin Vjosë që rrezikojnë të shkatërrohen, si dhe ndiçimi i të gjithë pasarelës. Bypass-i i Tepelenës bën lidhjen e segmentit të sapondërtuar Levan-Tepelenë me segmentin Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë, ndërkohë që ky investim pritet ti japë një hov zhvillimit ekonomik dhe turizmit në zonë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.