Rriten pagat e mjekëve, masë shtesë për të frenuar “emigrimin” e bluzave të bardha

Pas kambanave të alarmit për numrin e lartë të mjekëve që po largohen nga vendi në kërkim të kushteve më të mira ekonomike dhe profesionale, qeveria është vënë në lëvizje në përpjekje për të frenuar fenomenin.
Kështu Këshilli i Ministrave vendosi rritjen e pagave për disa kategori mjekësh dhe shpërblimet për mjekët roje, pas një rritje të realizuar me 10 për qind për të gjitha bluzat e bardha.
Mjekët e spitaleve në shërbimin e urgjencës, reanimacionit, hemodinamikës, në njësinë e aksidenteve cerebrale si dhe mjekët neonatë, do të përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune në masën 18 000 lekë në muaj.
Infermierët dhe laborantët e spitaleve në shërbimin e urgjencës, reanimacionit, hemodinamikës dhe në njësinë e aksidenteve cerebrale përfitojnë një shtesë në masën 12 000 lekë në muaj.
Mjekët, të cilët në zbatim të sistemit të referimit dërgohen për konsulta dhe ndërhyrje kirurgjikale në spitale të tjera, përfitojnë për çdo ditë shërbimi një shtesë në page prej 10 000 lekësh në institucionet spitalore universitare dhe prej 5 000 lekësh në spitalet rajonale.
Për çdo shërbim rojë 24 orë pa ndërprerje mjekëve u jepet një shpërblim që varion nga 5200 lekë në 8000 lekë sipas shërbimit të rojës që mjekët do të kryejnë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.