Rriten shitjet me kartë – Credins: Po kërkohen nga blerësit dhe bizneset
Shitjet e biznesit përmes kartave po rriten me ritme të larta këtë vit. Në një intervistë për Tv Scan, Adja Angjeli, drejtore e menaxhimit të shitjeve në degë në Credins Bank thotë se përdorimi në rritje i kartave bankare po shton numrin e bizneseve që interesohen për të pranuar pagesa përmes tyre. Deri pak vite më parë, bizneset ishin skeptike dhe shpeshherë të painteresuara për të vendosur pika elektronike të shitjes me kartë. Kjo ndodhte sepse blerësit i përdornin më pak, por edhe për shkak të informalitetit të lartë mes bizneseve.
“Në përgjithësi të gjitha pagesat elektronike, karta krediti, karta debiti, karta të parapaguara janë produkte të cilat kanë tendencë në rritje për sa I përket kërkesës së konsumatorëve. Në një botë që tashmë po bëhet e gjitha teknologjike dhe online është më se normale që edhe trendi I pagesave të jetë I tillë, pikërisht siç ka qenë. Në qoftë se do t’i referohemi shifrave të përgjithshme të sistemit bankar, në gjithë sistemin vihet re një rritje e përdorimit të kartave, të gjitha llojet e kartave. Natyrisht më shumë rritje vihet re në kartat e debitit pasi janë karta të cilat lidhen me llogaritë e pagës dhe natyrisht konsumatorët janë edukuar ndër vite, le të themi ndër 5-6 vitet e fundit që bashkë me llogarinë e pagës të kenë edhe një kartë debiti nga e cila të tërheqin para sa herë që ju nevojiten. Më pak të përdorura janë kartat e kreditit, le të themi që në nivel përdorimi zënë 15% kundrejt 85% të kartave të debitit.
Por, megjithatë trendi i rritjes është më lartë se rritja e kartave të debitit. Jemi në fazën e ekspansionit sa i përket njohurive që konsumatorët po marrin sa I përket kartave të debitit. Kur duhet të kemi kartë krediti, kur kartë debiti; çfarë avantazhesh ka e krediti, çfarë e debitit. Shumë shpesh klientët vijnë në bankë dhe kur u ofrohet një kartë krediti thonë ‘jo, kam kartë debiti, faleminderit!.’ Duhet stafi I bakës që ti informojë, t’i edukojë lidhur me përdorimin më efikas të kartës së debitit kundrejt kartës së kreditit. Nga ana tjetër, një zhvillim shumë të madh ka pasur, sidomos në bankën tonë, nuk kam statistika të tregut, ka pasur karta e parapaguar. Kjo është një kartë që përveçse klientëve të bankës, i vihet në dispozicion edhe një kategorie tjetër, siç janë studentët dhe që është brezi i ri, më i mësuar me teknologjinë, me blerjet në internet, me blerjet në pikat e shitjes dhe kjo ka bërë që kjo kartë të ketë një sukses shumë të madh në treg. Përveç kartës së parapaguar Visa, kemi hedhur në treg edhe kartën Master, e cila gjithashtu rezultoi shumë e suksesshme.
Në nivel statistikash, karta Pree Paid ka pasur rritjen më të lartë, rreth 20% në nivel vjetor, kartat e krediti rreth 15% dhe kartat e debitit edhe më shumë në nivel të përgjithshëm. E rëndësishme është që tashmë ka një kërkesë më të lartë nga vetë konsumatorët dhe nga vetë bizneset. Nëse më përpara ishte stafi I bakës ishte ai që shkonte të promovonte një produkt siç është POS, pse dhe kur do ta përdore këtë, tashmë është biznesi që kërkon, duke qenë se klientët biznesit që të paguajnë me kartë, kërkojnë që të pajisen me një POS. Po t’i referohemi shifrave tona për vitin e fundit, kemi një rritje prej 5%, kurse në nivel transaksioni, kemi një dyfishim, rreth 197% të vlerës së transaksioneve në pikat tona të shitjes. Kjo tregon që është rritur ndërgjegjësimi I bizneseve, për të kërkuar një mjet pagese elektronike të ndryshme nga pagesa tradicionale me cash.
Nga ana tjetër, edhe vetë konsumatorët e kanë kuptuar lezetin e përdorimit të kartës, të mosmbajtjes së një paraje cash mbi një nivel të caktuar le të themi në xhep. Me kartën mund të paguash në çfarëdolloj monedhe, kur të duhet, sit ë duhet. Është një mjet shumë komod pagese. Janë shumë faktorë, siç është informaliteti i cili ka ardhur në rënie; është vetë kërkesa e biznesit e cila për të përmbushur kërkesat e shumta dhe tashmë më të ndërlikuara të saj preferon që të vërë në dispozicion forma të ndryshme pagese. Madje ne kemi biznese që kanë kërkuar apo kanë pranuar pasi është ofruar nga banka edhe forma të tjera, siç është E-Commerce, pra që ti produktet e tua t’i ofrosh online, çdo gjë të bëhet online. Kemi shumë biznese prestigjioze në treg të cilat kanë këtë shërbim, shërbimin E-Commerce nga banka jonë, që janë akoma më të sofistikuara nga POS. Kështu që, mendoj që të gjithë këta faktorë kanë bërë që niveli I përdorimit të kartave dhen niveli I kërkesës së bizneseve të rritet le të themi me një korrelacion pozitiv.”
Një tjetër faktor që ka frenuar një përhapje më të gjerë të kartave dhe sidomos atyre të kreditit ka qenë kosto. Realisht, kartat janë ende më të kushtueshme në raport me produktet e tjera të kredisë konsumatore. Megjithatë, në vitet e fundit, cikli i normave të ulëta të interesit dhe promovimi më i madh nga bankat ka bërë që kostot e kartave të kreditit të bien. Credins Bank madje po ofron edhe blerje me këste me interes zero, nëpërmjet marrëveshjes me rrjetet e shitjes së pajisjeve elektronike.
“Unë mendoj që fakti se karta e krediti është pak më e shtrenjtë se kredia konsumatore është mëse e justifikuar me faktin që ajo çka ofron karta e krediti, pra një cash të cilin ti edhe e ke edhe s’e ke që ti mund ta përdorësh në çfarëdolloj momenti, në krahasim me një kesh me të cilin me anë të kredisë konsumatore duhet të shkosh ta tërheqësh në bakë pastaj ta transportosh duke e çuar në një vend tjetër aty ku ti duhet të bësh një blerje apo një pagesë të caktuar, mendoj se është mëse e justifikueshme për atë diferencën e vogël që ekziston midis normës së kredisë konsumatore dhe kartës së kreditit. Nga ana tjetër mund të them që vetë normat e interesit të over-draft-it lidhur me kartën e krediti kanë pësuar rënie në sistemin bankar dhe në bankën tonë. Kështu që ai ‘gepi’ ka ardhur gjithmonë e duke u ngushtuar referuar normës së interesit të kartave. Përsa i përket vetë normës së kartave këtu në Shqipëri pastaj është diskutim tjetër, pasi natyrisht ato janë pak më të larta se në vendet e tjera të Europës Perëndimore, për vetë faktin që kostoja e parasë është në nivele më të larta se vendet e Bahskimit Europian, kështu që lidhet drejtpërdrejt me vlerën e kostos së parasë në atë moment.”
Megjithatë, potencialet e tregut të pagesave në Shqipëri janë ende shumë të mëdha. Një studim i “Visa” vlerëson se, Shqipëria ka raportin më të ulët të përdorimit të pikave elektronike të shitjes në të gjithë Europën Juglindore. Çdo 100 dollarë veprime me kartat, vetëm 7-8 dollarë kryhen nëpërmjet pikave elektronike të shitjes, ndërsa diferenca janë kryesisht tërheqje e parave cash nga bankomatet
Rritja e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave ka përfitime të prekshme për të gjitha palët e interesit. Sipas studimeve të kryera nga shoqata më e rëndësishme globale e pagesave, “Visa”, kalimi nga pagesat cash në ato elektronike mund të sjellë një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto të një vendi nga 0.6% në 1.6%. Nga pikëpamja makroekonomike, pagesat elektronike janë shumë të rëndësishme, sepse mund të kontribuojnë në rritjen e prodhimit, por edhe në një këndvështrim mikro, çdo individ mund të ketë një cilësi më të mirë jetese, duke përdorur produkte që ju mundësojnë akses në kanale të ndryshme blerjesh. Gjithashtu, rritja e përdorimit të pagesave me karta do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në luftën kundër evazionit fiskal.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit shtator numri i kartave bankare aktive ishte pothuajse 1.1 milionë. Nga këto, rreth 102 mijë ishin karta krediti. Numri i pikave elektronike të shitjes ka arritur në afro 7300, por ndërkohë kartat po përdoren gjithnjë e më shumë edhe për blerje përmes internetit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.