Rriten shpenzimet me 19.4 milion euro – COVID-19/ Dyfishohen pagesat për papunësinë dhe ndihmën ekonomike
Ndërkohë që të ardhurat në buxhet në 4 muajt e parë të vitit, kanë pasur një rënie drastike prej 132 milionë euro, në anën tjetër shpenzimet janë rritur, pavarësisht urdhrit të kryeministrit në fillim të pandemisë, për reduktimin e tyre. Kështu, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, totali i shpenzimeve në 4 mujor regjistrohet në 148.7 miliardë lekë, apo 2.4 miliardë lekë më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Rritje të ndjeshme kanë pësuar shpenzimet korrente, dhe kryesisht ato që kanë të bëjnë me pagat e administratës shtetërore, ndërkohë që kanë rënë pagesat për interesat. Në total shpenzimet korrente arrijnë vlerën e 132 miliardë lekëve. Po ashtu, peshë më të madhe e mbajnë pagesat sociale, ato për papunësisë apo ndihmën ekonomike, të cilat janë akorduar për të amortizuar pasojat e COVID-19, ku në total arrijnë në 14.4 miliardë lekë, apo 6.8 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.
Për të dyja këto kategori, qeveria vendosi që gjatë periudhës Mars dhe Prill, të merrnin dyfishin e ndihmës. Ndërkohë, shpenzimet për fondet speciale, si sigurimet shoqërore apo shëndetësore, arrijnë në vlerën e 54.3 miliardë lekëve në Janar-Prill 2020, me një rritje prej 700 milionë lekësh në raport më të njëjtën periudhë të 2019-ës. Nga ana tjetër shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes kanë pësuar një rënie të lehtë.
Shpenzimet në buxhet
Janar-Prill 2019 146.3 miliardë lekë
Janar-Prill 2020 148.7 miliardë lekë
Shpenzimet sociale
Janar-Prill 2019 7.6 miliardë lekë
Janar-Prill 2020 14.4 miliardë lekë
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.