Rritet borxhi Italian -Me 33 mld euro vetëm gjatë janarit, prek 2.25 trilionë

Borxhi publik i Italisë vazhdon të rritet. Të dhënat e fundit të Bankës së Italisë konfirmojnë se borxhi publik gjatë Janarit preku shifrën e 2.23 trilionë eurove, çka përkthehet në një rritje me 33 miliardë euro gjatë Janarit.
Të ardhurat ndërkohë janë rritur me 3.3%. Gjatë muajit të parë të vitit, sipas të dhënave zyrtare nga banka qendrore e vendit, borxhi publik i administratës u rrit me 32.7 miliardë euro. Rritja vjen si pasojë e rritjes së disponibilitetit të thesarit për likuiditet.
Po gjatë Janarit, të ardhurat fiksohen në 35.4 miliardë euro, çka do të thotë një rritje me 3.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Mbledhja e taksave është rritur ndjeshëm gjatë Janarit, çka gjeneron edhe rritjen e ndjeshme të të ardhurave.
Gjithsesi, rritja e të ardhurave vjen edhe si pasojë e efektit kalendarik. Italia është një ndër vendet me borxhin më të lartë publik në Eurozonë, çka e ka vënë shpeshherë në qendër të kritikave të Komisionit Europian. Masat e ndërmarra nga qeveria italiane nuk janë të mjaftueshme për të nxitur një ulje të borxhit, pretendon Brukseli. Për këtë arsye, Roma zyrtare rrezikon edhe gjoba të majme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.