Rritet çmimi i ujit – Këshilli Bashkiak miraton vendimin me 31 vota pro
Këshilli bashkiak në mbledhjen e datës 26 Korrik vendosi të miratojë rritjen e çmimit të ujit.
Për klientët familjarë 1m3 ujë do të kushtojë 65 lekë, nga 45 lekë për m3 që ishte çmimi i mëparshëm. Ndërsa për entet private, çmimi do të ngrihet nga 135 lekë për m3 në 190 lekë për m3.
Rritja është justifikuar me nevojën për investime në ujësjellës, duke vendosur edhe synimin për të patur 24 orë ujë në ditë brenda pesë viteve të ardhshme.
Sipas kryetarit të Bashkisë, kostoja e shtuar në faturën e ujit do të eliminojë një sërë kostosh të tjera si blerja e shisheve të ujit të pijshëm, ato për mirëmbajtjen e depozitave, si edhe do të ofrojë ujë të sigurt për shëndetin.
“Do të investojmë, 220 milionë euro në 5 vitet e ardhshme. Me sistemin aktual, ky është viti i parë që del me fitim ujësjellësi, 5 milionë euro. Me këtë ritëm duhen 44 vjet. Tani mund ta bëjmë për 5 vjet”, tha Veliaj.
Ndër investimet që parashikohen të kryhen në këtë periudhë përfshihen:
- 10 milionë euro për burimin e Gurit të Bardhë pranë Burrelit
- Investim për përpunimin dhe filtrimin e ujit në Bovillë
- 50 milionë euro do të investohen në sistemin e transmetimit
- 50 milionë euro do të investohen në rrjetin e shpërndarjes
Vendimi kaloi me disa amendime të propozuara nga PDIU, ku kërkohet që të mos preken nga rritja e çmimit kryefamiljarët që përfitojnë pension, si edhe familjet në nevojë që marrin ndihmë ekonomike.
Sakaq PD bëri përgjegjës për këtë vendim vetëm Lëvizjen Socialiste për Integrim, këshilltarët e së cilës morën pjesë në votim. Para votimit, kryetari i grupit të këshilltarëve të PD, Leonard Olli u bëri thirrje këshilltarëve të LSI të largohen nga mbledhja e këshillit. Sipas tij, nëse LSI do që të vërtetojë angazhimin për të bërë opozitë së bashku me Partinë Demokratike, atë duhet ta dëshmonte sot.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.