Rritet ekonomia Britanike – Shtimi i inventarëve përpara Brexit nxit prodhimin e fabrikave

Ekonomia britanike u rrit papritmas në muajin Shkurt, duke marrë nxitje nga manifaktura, pasi klientët kanë bërë porosi rekord për të magazinuar mallra përpara daljes nga Bashkimi Europian.
Ekonomia britanike ka performuar më mirë se ç’pritej pas referendumit të vitit 2016, megjithatë është ngadalësuar nga mesi i 2018-ës ndërkohë që pasiguritë politike u shtuan dhe ekonomie botërore humbi vrull. Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se Britania do të rritet me 1.2% në vitin 2019, nëse i’a del të shmangë Brexit pa marrëveshje. Kjo normë do të ishte më e lartë se Gjermania me 0.8% dhe pak më ulët se Franca në 1.3%.
Megjithatë, ekonomia britanike pritet të tregojë normën më të dobët të rritjes në një dekadë këtë vit, edhe nëse arrihet një marrëveshje për Brexit. Të dhënat e zyrës së Statistikave në Londër treguan se në periudhën tremujore deri në Shkurt, Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 0.3%. Me bazë vjetore, rritja ekonomike në Shkurt shënoi 2%, që është norma më e lartë që prej fundit të 2017-ës. Paundi britanik pati rritje pas publikimit të të dhënave, duke prekur 1.3086 kundër dollarit.
Klientët e fabrikave kanë shtuar ndjeshëm inventarët për të shmangur vonesat në kufi pas Brexit, që pritej të ndodhte më 29 Mars. Prodhimi në manifakturë u rrit me 0.9% në Shkurt nga Janari, gjë që kontribuoi për 50% të normës së rritjes ekonomike.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.