Rritet ekonomia e Japonisë, eksportet kompensojnë konsumin

Ekonomia e Japonisë u rrit për të katërtin tremujor radhazi në fundin e 2016-ës, pasi valuta e zhvlerësuar ka mbështetur eksportet. Megjithatë, konsumi privat i dobët dhe rreziqet nga administrata e re në SHBA, mund të përkeqësojnë rimëkëmbjen e ekonomisë së tretë më të madhe në botë.
Ekonomia u rrit me 1% në tremujorin e katërt 2016 me bazë vjetore, pas një rritjeje të rishikuar prej 1.4% në tremujorin e tretë. Rritja e eksporteve ka ndihmuar të mbush hendekun e krijuar prej kërkesës brenda vendit.
Megjithatë, suficiti tregtar i Japonisë me Shtetet e Bashkuara ka gjasa të kritikohet nga Presidenti amerikan. Gjatë një takimi në fundjavën e kaluar mes Shinzo Abe dhe Donald Trump, presidenti u përmbajt nga kritikat e bëra më parë se Japonia po përdor stimujt monetar për të zhvlerësuar jenin, në mënyrë që të krijojë një avantazh të padrejtë në tregti.
Analistët thonë se ky “armëpushim” nuk do të zgjasë. Fuqizimi i sektorit korporativ në vend nuk është kanalizuar te ekonomitë familjare që përballen me kosto më të larta të jetesës.
Konsumi privat, që përbën rreth 60% të Produktit të Brendshëm Bruto, nuk tregoi rritje. Eksportet neto kontribuan për 0.2% në Produktin e Brendshëm Bruto.
Gjatë tremujorit të katërt 2016, dollari është rritur në sipër 118 jen pas zgjedhjes së Donald Trump. Jeni i dobët ka bërë që eksportet e Japonisë të shënojnë rritjen e parë vjetore në 15 muaj për Dhjetorin.
Klevis Llaha/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.