Rritet eksporti i kafshëve e mishit – 6-mujori, blegtoria merr kthesën, perfomancë pozitive
Për të parën herë blegtoria ka performuar pozitivisht sa i përket eksporteve me vendet e rajonit por edhe më gjerë. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, eksportet blegtorale janë rritur me 39 për qind, duke u regjistruar në vlerën e 537 milion lekëve gjatë gjysmës së parë të vitit nga 386 milionë që kanë qenë në periudhën Janar-Qershor 2017.
Shifrat vënë në dukje një rritje të ndjeshme të eksportit të gjedhëve të gjalla, kafshëve të tjera dhe mishit. Rritja ka ardhur, edhe për shkak se në muajin Mars, pas 30 vitesh, është rihapur eksporti me Serbinë për të imtat dhe mishin e tyre.
Pas negocimeve të shumta të Ministrisë së Bujqësisë me palën serbe, është rënë dakord për modelin e certifikatës shëndetësore për eksport që do të shoqërojë mishin e dhenve dhe dhive dhe për kafshët e tjera. Dhe duket se pas kësaj lëvizje, kërkesa ka qenë e lartë, çka është reflektuar dhe në shifra.
Në Shqipëri mbarështohen rreth 3 milion të imta të cilat çdo vit lindin rreth 2.4 milion qingja dhe keca vetëm për therje. Këta qingja në therje janë me një mesatare 10-15 kg mish për krerë, një vlerë ekonomike në total 25,2 miliard lekë ose rreth 191 milion Euro. Është hera e parë pas vitit 1990 që eksportohen kafshë të gjalla të llojit të imta ose mishi i tyre drejt një vendi të huaj.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.