Rritet euro – Arrin vlerat më të larta ndaj lekut që nga qershori

Mbyllja e sezonit veror ka bërë që euro t’i kthehet me përpikmëri rritjes në kursin e këmbimit valutor. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, të enjten euro u këmbye me 133.5 lekë, në rritje me gjysmë pike nga një ditë më parë. Euro po forcohet vazhdimisht ndaj lekut që prej një jave dhe ka arritur nivelin më të lartë në tre muajt e fundit. Ekspertët besojnë se shkaku kryesor i forcimit të euros është një rënie graduale e ofertës së monedhës europiane në tregun e këmbimit valtuor.
Në muajt e fundit, kjo ofertë ka qenë e lartë për shkak të të ardhurave nga turizmi, nga emigrantët, ndërsa deri në fund të qershorit vlerësohet se një efekt mund të kenë pasur edhe shpenzimet e lidhura me fushatën zgjedhore. Kjo rritje ishte parashikuar nga ekspertët e tregut, që prisnin një korrektim të kursit të euros pas sezonit veror. Megjithatë, ata nuk presin që euro të kthehet sërish në kufijtë e 140 lekëve, të paktën jo në një kohë të shkurtër.
Në muajt e fundit, euro ka ndjekur një tendencë mbiçmimi edhe në tregjet ndërkombëtare, sidomos kundrejt dollarit amerikan. Nuk besohet që ecuria e tregjeve ndërkombëtare të jetë një faktor përcaktues në kursin euro-lek, por e kundërta ndodh me kursin e dollarit amerikan.
Kursi i dollarit kundrejt lekut lëviz pothuajse në përpjesëtim të drejtë me kursin e monedhës së gjelbër ndaj euros. Fakti që dollari është dobësuar kundrejt euros shpjegon edhe zhvlerësimin ndaj lekut në muajt e fundit, duke zbritur pranë kufirit të 110 lekëve.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.