Rritet fatura për blerje energjie – 2 milion euro për nëntorin, fatura vjetore shkon në 79 milion euro
2 milion euro është vlera e shpenzuar nga Furnizuesi i Tregut të Lirë për blerje energjie, me qëllim plotësimin e nevojave konsumatore për javën e parë të muajit nëntor. Në total u blenë rreth 40700 mwh energji, ndërkohë që çmimi mesatar me të cilin u sigurua energjia arriti në 49.24 euro/mwh. Me blerjen e fundit fatura për blerjen e energjisë përgjatë vitit 2020 shkon në 79 mln euro. Sipas të dhënave zyrtare , 60.1 mln euro u shpenzuan për periudhën janar-gusht, ndërkohë që pjesa tjetër i takon energjisë së blerë në muajin shtator dhe tetor.
Më konkretisht, gjatë muajit shtator u shpenzuan 14.1 mln euro, ndërkohë që 5 mln euro të tjerë janë shpenzuar në tetor. Në fakt, që vihet re është një zbutje e faturës për muajin tetor, në raport me muajt paraardhes, situatë e ndikuar nga reshjet gjatë këtij muaji.
Megjithatë, faturat e kripura për pjesën tjetër të vitit reflektojnë uljen e prodhimit të energjisë për shkak të situatës jo të favorshme hidrike, ndërsa nxjerrin edhe një herë në pah nevojën që ka vendi ynë për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë. Kjo pasi, aktualisht prodhimi është i varur thuajse tërësisht nga uji, ndërkohë që potenciale të tjera sikurse është dielli apo era, mbeten në nivele shfrytëzimi tejet të ulët.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.