Rritet industria franceze – Prodhimi zgjerohet me 0.6%, sinjale pozitive për T3
Ekonomia franceze vazhdon të gjenerojë shifra pozitive, në thuajse të gjithë indikatorët. Të fundit në serinë e këtyre të dhënave tregojnë se, prodhimi industrial gjatë Shtatorit u rrit me 0.6% në krahasim me muajin paraardhës, në linjë edhe me pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve, tregojnë të dhënat e fundit të zyrës franceze të statistikave.
Rritja ka fshirë kështu rënien e prodhimit industrial gjatë muajit Gusht, që fiksohej në 0.2%. Kjo shifër u rishikua më vonë në rënie të mëtejshme, ne -0.3%. Të dhënat e fundit tregojnë kështu se edhe sektori industrial, është në rimëkëmbje të ndjeshme dhe se ka përmbysur tërësisht trendin e tremujorit të dytë të vitit, duke dhënë sinjale të qarta se do të mbështesë rritjen ekonomike përgjatë tremujorit të tretë të viti dhe me shumë gjasa edhe tremujorit të fundit.
Ekonomia franceze pritet të rritet me hapin më të shpejtë në vite gjatë 2017, për ta konfirmuar vrullin edhe përgjatë vitit të ardhshëm.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.