Rritet industria gjermane – Prodhimi zgjerohet me 2.8%, ekonomia ruan vrullin
Prodhimi industrial gjerman u rrit mbi pritshmëritë gjatë Janarit, duke marrë shtysë nga kërkesa e fortë e brendshme, kryesisht për makineri, automjete dhe mallra të tjera kapitalë, tregojnë të dhënat e fundit zyrtare.
Këto të dhëna sinjalizojnë një fillim viti me këmbën e mbarë për ekonominë më të madhe të Europës.
Ministria e Ekonomisë siguron kështu vijimësinë e vrullit që ka marrë ekonomia gjermane. Të dhënat e një ditë e më parë ndërkohë, tregonin se, porositë industriale gjatë Janarit pësuan rënien më të madhe mujore në 8 vitet e fundit.
Gjithsesi, të dhënat e publikuara të Mërkurën tregojnë se, prodhimi në sektor është rikthyer në rrugën e duhur, dhe se sektori do të kontribuojë në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë tremujorit të parë të vitit.
Gjatë Janarit, prodhimi industrial u rrit me 2.8% në terma mujorë. Kjo është rritja më e madhe që prej Gushtit të vitit 2016, si dhe lehtë mbi pritshmëritë e tregjeve, që flisnin për një rritje në 2.5%. rritja gjatë muajit të parë të vitit, vjen falë prodhimit në manifakturë, në rritje me 3.7%.
Prodhimi në sektorin e ndërtimit ndërkohë ra me 1.3%, ndërkohë që ai energjetik ra me 0.7%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.