Rritet inflacioni në 2.8%, niveli më i lartë që nga 2012
Inflacioni e ka nisur vitin 2017 në rritje, madje duke prekur barazuar nivelin më të lartë të pesë viteve të fundit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, inflacioni arriti në 2.8%, nivel ky që nuk regjistrohej që nga gushti i vitit 2012.
Në mënyrë të papritur, së paku për një muaj, inflacioni i afrohet kështu objektivit të Bankës Qendrore. Megjithatë, për momentin kjo rritje e inflacionit ende mbështete në faktorë të luhatshëm të ofertës, më shume sesa te një rimëkëmbje e qëndrueshme e kërkesës në ekonominë shqiptare.
Rritja e inflacionit për janarin erdhi kryesisht për shkak shtrenjtimit të ushqimeve dhe karburanteve. Për sa i takon produkteve ushqimore, një ndikim të madh duket të ketë pasur vala e pazakontë e të ftohtit, që solli shtrenjtim të lartë të produkteve të freskëta bujqësore, sidomos në nëngrupet e zarzavateve dhe frutave.
Megjithatë një tendencë në rritje të çmimeve po vërehet prej disa muajsh edhe në produktet e bulmetit, si edhe në produktet industriale që importohen apo prodhohen me lëndë të parë importi.
Çmimet e lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare i janë kthyer rritjes, çka po përcillet edhe në nivelet e inflacionit të ekonomisë shqiptare. Pikërisht, rritja e çmimeve të naftës ka bërë që inflacioni i grupit “transporti” të kthehet në vlera pozitive, me 2.8%, pasi rezultoi në rënie përgjatë gjithë vitit 2016.
Ndonëse vlerësohet se ekonomia dhe kërkesa e brendshme janë në një rrugë të qëndrueshme përmirësimi, kthimi i qëndrueshëm i inflacionit pranë objektivit mund të kërkojë afërsisht edhe një vit.
Banka e Shqipërisë pret që kjo të ndodhë në fillim të vitit 2018, duke ndjekur kthimin e ekonomisë në nivelet e rritjes potenciale dhe mbylljen e hendekut të prodhimit.
Ersuin Shehu/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.