Rritet inflacioni në Eurozonë – Arrin 2.2% në Tetor. Bind BQE për heqjen e stimujve
Inflacioni në Eurozonë ka marrë vrull në muajin Tetor, duke ofruar më shumë bindje për Bankën Qendrore Europiane që të heqë stimujt monetarë, pavarësisht se rritja ekonomike po ngadalësohet. Indeksi i çmimeve të konsumit në 19 vendet që ndajnë euron u rrit në 2.2% në Tetor me bazë vjetore, nga 2.1% që shënoi në Shtator, sipas të dhënave të Eurostat. Niveli është sipër objektivit të Bankës Qendrore Europiane prej pranë 2%, për të 9-in muaj radhazi.
Pas 3 viteve të stimujve të jashtëzakonshëm monetarë, institucioni në Frankfurt po përpiqet të heqë mbështetjen, pavarësisht se rritja më e madhe e çmimeve po vjen nga nafta. Një tjetër tregues pozitiv për bankën është rritja e inflacionit bazë, që preku 1.3% nga 1.1%. Një tregues tjetër që përveç ushqimit dhe karburanteve përjashton edhe alkoolin e duhanin, u rrit në 1.1% nga 0.9%. Megjithatë, plani i BQE për të rritur normat e interesit vitin e ardhshëm mund të sfidohet nga ngadalësimi i ekonomisë.
Sipas Eurostat, Produkti i Brendshëm Bruto në Eurozonë u rrit me 0.2% në tremujorin e tretë, sa gjysma e projeksioneve të BQE. Ndërkohë që rritja ekonomike është poshtë potencialit, presionet ndaj çmimeve nuk do të jenë të mjaftueshme, gjë që përbën një problem për BQE. Banka planifikon të përfundojë programin e blerjes së borxhit në treg të hapur në fund të këtij viti dhe të nisë rritjen e normave të interesit në verën e 2019-ës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.