Rritet inflacioni – Ushqimet, uji dhe veshjet shtrenjtohen

Inflacioni u rrit gjatë muajit shkurt, duke kaluar intervalin e poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë për herë të parë që nga mesi i vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga INSTAT, për shkurtin inflacioni ishte 2.1%, nga 1.7% që kishte qenë në janar.
Çmimet e ushqimeve shpejtuan ritmet e rritjes gjatë muajit shkurt dhe inflacioni i këtij grupi arriti në 2.7%, nga 2.2% që kishte qenë për janarin. Instat raporton se brenda ushqimeve shtrenjtimi ishte kryesisht i ndjeshëm te frutat dhe më pak te zarzavatet.
Ndërkohë, një ndikim të konsiderushëm në inflacion gjatë muajve të parë të këtij viti po jep grupi “qira, ujë, lëndë djegëse, energji”. Për shkurtin, inflacioni i këtij grupi ishte 3.1%, ndjeshëm më i lartë krahasuar me një vit më parë. Besohet se kjo rritje lidhet sidomos me rritjen e çmimeve të ujit të pijshëm në Tiranë dhe disa bashki të tjera në vend.
Ndërkohë, për t’u përmendur një rritje e inflacionit për grupin veshje dhe këpucë, që për shkurtin arriti në 2.9%. Një normë kaq e lartë e rritjes së çmimeve për këtë grup nuk regjistrohej prej vitesh.
Ecuria e çmimeve të konsumit pati një goditje rritëse edhe në fillimin e vitit të kaluar, çka i detyrohej sidomos dimrit veçanërisht të ftohtë, që ndikoi kryesisht në ecurinë e çmimeve të produkteve bujqësore. Këtë vit, rritja duket më e shpërndarë në disa grupmallra, çka tregon se ndoshta bazat për një rritje të qëndrueshme të inflacionit janë më të forta.
Banka e Shqipërisë pret që inflacioni për vitin 2018 të rritet më tej nga niveli 2% i vitit 2017, ndërsa parashikimet janë që objektivi prej 3% të arrihet në gjysmën e parë të vitit 2019.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.