Rritet korrupsioni i zyrtarëve – 105 funksionarë nën hetim dy vitet e fundit, ja shifrat nga 2012
Në dy vitet e fundit Prokuroria ka hetuar në total 105 raste funksionarësh publikë të dyshuar për korrupsion aktiv. TV SCAN ka zbardhur të dhënat zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, nga të cilat rezulton se hetimet për këtë vepër janë dyfishuar në raport me vitin 2014, kur rastet e regjistruara ishin 21.
Në vitin 2013 prokuroria ka hetuar 15 zyrtarë të dyshuar për korrupsion aktiv, ndërkohë që në vitet 2011 dhe 2012, numri i rasteve të hetuara është përkatësisht 5 dhe 2.
Viti me numrin më të lartë të hetimeve për korrupsion aktiv është 2015-a, kur janë regjistruar 58 raste. Po këtë vit për këtë vepër penale janë dënuar 40 persona.
Numrin më të madh të procedimeve për këtë vepër, të paktën për vitin e shkuar, e kanë regjistruar Tirana e Shkodra, me respektivisht 15% dhe 13% të totalit. Më pak hetime kanë ndërmarrë prokuroritë e Durrësit e Vlorës, të cilat numërojnë nga 9% të totalit.
Lorenc Rabeta/SCAN
Shtohen rastet e kapjes së korrupsionit – Veprat penale më të përhapura kundër shtetit dhe kundër individit
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.