Rritet kosto e emetimit të CO2 në Europë – Çmimi i “lejes” së karbonit, pranë nivelit rekord prej 100 euro/ton!

Çmimi i lejeve për emetimin e karbonit në Bashkimin Europian arriti në një nivel rekord të lartë prej 96 euro në ditën e fundit tregtare të javës që kaloi dhe analistët presin nivelin simbolik prej 100 euiro së shpejti. Tregu i karbonit në Europë, përmes sistemit të tregtimit të emetimeve (ETS), detyron fabrika, impiantet e energjisë dhe linjat ajrore që të paguajnë për çdo ton të dioksidit të karbonit që emetojnë. Sa më i lartë të jetë çmimi i lejes, aq më e madhe është kosto e nxjerrjes së emetimeve që ngrohin planetin, pavarësisht se disa njësi marrin leje falas, për të qëndruar konkurrent në tregjet botërorë.
Çmimi i karbonit është rritur me mbi 200% që në nisje të vitit 2021, për shkak të faktorëve përfshirë rritjen e çmimit të gazit që nxitur disa të kthehen tek qymyri, duke sjellë rritjen e emetimeve dhe kërkesën për leje. Kontrata referenë e lejes së karbonit në BE, u tregtua në 97.5 euro për ton në sesionin e fundit të javës që kaloi, që është niveli ëm i lartë që kur nisi tregtimi në vitin 2005. Analistët thonë se rritja e fundit është nxitur me shumë mundësi nga blerjet teknike dhe 100 euro-shi pritet së shpejti. Tendenca në rritje e kostove europiane të karbonit nisi kur politikanët e BE në vitin e fundit shpalosën disa ligje të reja që ulin emetimet më shpejtë deri në vitin 2030.
Vende si Polonia kanë thënë se çmimet më të larta të CO2 janë nxitur nga spekuluesit dhe i bënë thirrje BE që të ndërhyjë në treg. Shtete të tjera i shohin çmimet e forta të karbonit si thelbësore për të arritur objektivat e klimës. Duke vendosur një çmim për karbonin, sistemi ETS i BE, ofron një incentivë financiare për kompanitë që të ulin emetimet dhe të investojnë në teknologji të gjelbra.
Klevis LLaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.