Rritet kredia – Gjashtë miliardë lekë më shumë në dy muaj

Kredia për ekonominë u rrit për të dytin muaj radhazi gjatë gushtit, duke shfaqur një tendencë pozitive për sezonin veror. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i kredisë arriti në 549.7 miliardë lekë, katër miliardë lekë më shumë krahasuar me korrikun.
Në një muaj, portofoli i kredisë është zgjeruar me katër miliardë lekë, ndërsa, duke përfshirë edhe korrikun, kreditimi është rritur me 6 miliardë lekë në dy muaj.
Këto shifra janë sinjale pozitive, po të kemi parasysh se sezoni veror zakonisht është një periudhë që nuk karakterizohet nga ritme të larta të kreditimit.
Megjithatë, rritja e këtij viti dëshmon se huadhënia po përmirësohet, pasi mjedisi ekonomik ka lënë pas një lloj pasigurie të lidhur me procesin zgjedhor. Kreditimi po i afrohet kthimit në rritje vjetore pozitive.
Rënia është reduktuar në vetëm 0.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Segmenti më i shëndetshëm ngelet kreditimi i individëve, që vijoi rritjen për të gjashtin muaj radhazi.
Vlera totale e kredisë dhënë individëve nga bankat dhe institucionet e tjera financiar ka arritur në 173 miliardë lekë, në rritje me afro 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, edhe kredia për biznesin dha shenja të mëtejshme gjallërimi, duke regjistruar një rritje prej 2.3 miliardë lekësh gjatë muajit gusht. Të dhënat tregojnë se gjysma e dytë e vitit ka nisur me një gjallërim të huamarrjes, çka shton optimizmin për një përmirësim të mëtejshëm gjatë muajve të ardhshëm.
Edhe në daljen e kësaj jave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë shprehu besimin se rritja e kreditimit ndodhet në rrugën e duhur.
Rritja më e lartë ekonomike po e gjallëron kërkesën e tregut për financime, ndërsa ulja graduale e raportit të kredive me probleme pritet ta çlirojë ofertën e bankave.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.