Rritet lehtë papunësia në Maj/ Eurostat: ”Në 7.4%. Rritje më e theksuar tek gratë dhe të rinjtë”
Norma e papunësisë në Eurozonë u rrit lehtë dhe më pak se sa pritej në muajin Maj, ndërkohë që u lehtësuan gradualisht masat e karantinës së koronavirusit.
Megjithatë, rritja e papunësisë ishte më e theksuar tek gratë dhe të rinjtë. Norma e përshtatur ndaj efekteve stinore, u rrit në 7.4% në Maj, nga 7.3% në Prill dhe 7.1% në Mars. Maji regjistroi rritjen e dytë radhazi mujore, por më pak se pritshmëritë e tregjeve për një normë prej 7.7%. Zyra e Statistikave e Bashkimit Europian, Eurostat, vlerësoi se 12.15 milionë njerëz ishin të papunë në Maj 2020, një rritje me 159 mijë nga muaji Prill. Në të gjithë Bashkimin Europian, 14.4 milionë burra dhe gra ishin të papunë në muajin Maj dhe norma u rrit në 6.7%. Rritja e ngadaltë tregon se skemat e largimit të përkohshëm nga puna gjatë pandemisë së Covid-19, po mbajnë punëtorët jashtë regjistrit të papunësisë. Situata është më keq për gratë dhe të rinjtë.
Papunësia për njerëzit në moshën nën 25 vjeç u rrit në 16% në Maj, nga 15.7% në Prill. Në Spanjë, thuajse 1/3 e të rinjve janë të papunë. Për gratë, norma e papunësisë u rrit në 7.9% nga 7.7% në Prill, ndërsa për burrat, mbeti e pandryshuar në 7%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.