Rritet ndjeshëm siguria në fluturime – Në 2017, vetëm 19 viktima nga aksidentet ajrore
Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) ka publikuar të dhënat për vitin 2017 në lidhje me performancën e sigurisë në industrinë e linjave ajrore. Statistikat flasin për një përmirësim të theksuar, teksa të gjithë treguesit janë në rritje drejt sigurisë.
Kështu, vitin e kaluar u regjistruan vetëm 45 aksidente ajrore, 6 prej të cilave ishin të shoqëruar me humbje jete. Në total u shënuan vetëm 19 viktima, nga 202 të vdekur në 2016, në 67 aksidente ajrore.
Përmirësimi është edhe më i madh nëse e krahasojmë me mesataren e periudhës 2012-2016. Risku i fatalitetit ra në vetëm 0.09 pikë, nga 0.24 që ishte gjatë kësaj periudhe.
Progresi më i madh i takon rajonit të Afrikës, i cili po i afrohet më tepër standardeve ndërkombëtare.
Në të gjithë botën, gjatë 2017-ës fluturuan mbi 4.1 miliardë udhëtarë në 41.8 milionë fluturime. Kjo përkthehet në vetëm 1 incident madhor për çdo 8.7 milionë fluturime. Në këtë mënyrë transporti ajror konfirmohet edhe më i fuqishëm si mjeti më i sigurt i transportit.
Sidoqoftë, IATA ka vendosur të vazhdojë ta bëjë këtë industri më të sigurt dhe pritet të nisë një analizim të veçantë të aksidenteve që ndodhin, në mënyrë që të përcaktojnë edhe kushtet që mund të sjellin aksidente.
Sipas drejtorit të përgjithshëm të kësaj shoqate, qëllimi final është që çdo fluturim të ngrihet dhe të mund të ulet sërish në tokë në mënyrë të sigurt.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.