Rritet numri i vizitorëve në Monumentet e Kulturës në 2016, MZHETTS: Të ardhurat llogariten rreth 19 për qind
“Shqipëria ka tre vende të mbrojtura në UNESCO, qytetin e Beratit, Gjirokastrës dhe Butrintin dhe tashmë po punohet për të futur në UNESCO, pjesën shqiptare të Liqenit të Ohrit, e cila do i bashkohet pjesës tjetër të Liqenit që tashmë është në UNESCO”.
Lajmi është dhënë nga MZHETTS sot në Ditën Botërore të Monumenteve dhe vendeve të trashëgimisë, ku gjithashtu janë publikuar edhe shifrat e mbi vizitat në muze, parqe dhe monumente kulturore.
“Sipas statistikave, në vitin 2016 në krahasim me vitin 2015 vizitorët në muze, parqe dhe monumente kulturore janë rritur me 17,5%, dhe të ardhurat e gjeneruara në këtë kategori janë rritur me rreth 19%. Shqipëria po bën përpjekje maksimale që vendet dhe monumentet e trashëgimisë t’i përdorë si mundësi për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, duke promovuar këto destinacione, duke nxitur produkte turistike shtesë të komuniteteve lokale rreth këtyre zonave të mbrojtura, duke ndihmuar me financime projekte të ndryshme që kontribuojnë në reduktimin e varfërisë dhe zhvillimin dhe mirëqenien e këtyre komuniteteve, si dhe rritjen e punësimit në këto rajone”, thuhet në njoftimin e MZHETTS.
Sot është dita botërore e Monumenteve dhe Siteve (International Day for Monuments and Sites), e shpallur si e tillë nga UNESCO në konferencën e përgjithshme 22-të në 1983.
Tema e këtij viti është “Trashëgimia kulturore dhe Turizmi i qëndrueshëm’, një temë e përzgjedhur posaçërisht për Vitin Ndërkombëtar të Turizmit të Qëndrueshëm për Zhvillim të shpallur nga OKB.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.