Rritet papunësia në Itali – Ngjitet në 11.7% gjatë marsit, bie te të rinjtë

Norma e papunësisë në Itali gjatë Marsit u ngjit në 11.7%. Gjatë Shkurtit fiksohej në 11.6% dhe gjatë Marsit të së njëjtës periudhë të një viti më parë në 11.5%.
Të dhënat janë zyrtare dhe janë publikuar nga instituti i statistikave në vend, paçka se bëhet fjalë për të dhëna paraprake.
Gjatë muajit Mars, të papunët në vend ishin plot 3 milionë e 22 mijë persona, ose 41 mijë më shumë në krahasim me muajin paraardhës, apo 88 mijë më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Norma e punësimit ndërkohë fiksohet në 57.6%, e pandryshuar në krahasim me shkurtin, dhe 0.6 pikë përqindje mbi nivelin e Marsit të vitit 2016.
Sa i përket papunësisë mes të rinjve, pra moshës nga 15 deri në 24 vjeç, norma ka prekur nivelin më të ulët në 5 vite, duke zbritur në 34.1%. Kjo do të thotë se, rënia është e barabartë me 0.4 pikë përqindje me bazë mujore, dhe tre pikë përqindje me bazë vjetore.
Pavarësisht se, ka bërë progres në këtë drejtim, Italia vijon të mbetet një ndër vendet më problematike në Europë sa i përket të rinjve.
Një tjetër e dhënë, ajo që i referohet të rinjve që as nuk punojnë e as nuk studiojnë, e rendit Italinë të parën në Europë.
Në vend ka plot 2.2 milionë të rinj të tillë, ndërkohë që në vitin 2013, kishte 2.4 milionë, pra në rënie me 7.4 pikë përqindje, por ende shumë larg niveleve ku synon ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.