Rritet peshkimi me 55%, Peleshi: E kaluam me sukses “provimin” e BE

6 muajt e parë të vitit janë mbyllur me rritje eksportesh në sektorin e peshkimit në masën 55 për qind.
Lajmi është bërë me dije nga Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi gjatë një vizitë të zhvilluar në një stabilimenti të përpunimit të peshkut në Bushat të qarkut të Shkodrës.
“Gjashtëmujori i parë u mbyll me 55 % më shumë eksporte sesa viti kaluar. E theksoj dhe njëherë se bëhet fjalë për tregje me standarde shumë të larta evropiane, pra kemi arritur këto standarde. Para dy ditësh sapo kemi përmbyllur një mision auditimi nga Bashkimi Europian, nga strukturat e sigurisë ushqimore, dhe mesa jemi informuar dhe mesa kemi marrë konkluzionet ka qenë një provim i suksesshëm për ne, për institucionet dhe për të gjithë sektorin privat, pra për stabilimentet e përpunimit të peshkut. Çka do të thotë që Shqipëria do të vazhdojë edhe me mbështetjen e institucioneve tona, të rritë nga viti në vit prezencën e vet, në tregjet botërore të tregtimit të këtyre prodhimeve.”
Vitin e kaluar qeveria shqiptare hoqi TVSH-në për mjetet e bordit të anijeve të peshkimit, gjë që solli lehtësira dhe përfitime për rreth 2000 peshkatarë.
Po ashtu në Skemën Kombëtare të Mbështetjes Financiare u parashikua për herë të parë masa e subvencionit për sardelet dhe açuget në vlerën prej 200 lekë të vjetra ose 20 lekë për kilogram, e cila do vazhdojë të aplikohet dhe në vazhdim.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.