Rritet punësimi me 1.9 për qind në T3 – Zhvendosen nga bujqësia në sektorin e shërbimeve dhe industrisë

Punësimi në tremujorin e tretë të vitit 2017 është rritur me 1.9 për qind. Sipas Institutit të Statistikave, në terma tremujorë, punësimi ka shënuar një rritje me 1.4 për qind, në krahasim me tremujorin e dytë të po këtij viti.
Nga të dhënat, në terma vjetorë punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart ka shfaqur një tendencë në rritje. Ndërkohë, shkalla zyrtare e papunësisë në T3 2017 po për këtë popullsi është 13.6 për qind, duke shënuar një rënie me 1.1 për qind krahasuar me po të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Lidhur me shkallën e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç në këtë tremujor është 67.1 për qind, ku krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka shënuar një rënie me 0.2 për qind.
Sipas raportit, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 18 për qind më e lartë për meshkujt se sa për femrat. Ky tregues, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar ka shënuar një rritje me 0.7 për qind për meshkujt dhe një rënie me 1.2 për qind për femrat.
Lidhur me shkallën e pjesëmarrjes në forcat e punës sipas grupmoshave, nga të dhënat rezulton se për grupmoshën nga 30 -64 vjeç është 77.5 për qind, ndërsa për të rinjtë nga 15-29 vjeç është 45.2 për qind. Sa i takon shkallës së punësimit për meshkujt 15-64 vjeç vazhdon të ketë një tendencë rritje me 1.3 për qind, ndërsa për femrat evidentohet një rënie me 0.3 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, raporton portali SCAN.
Shkalla e punësimit te të rinjtë rezulton të jetë 33.5 për qind, ndërsa ky tregues për grupmoshën 30-64 vjeç është 69.3 për qind.
Rritja më e lartë e punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart është shënuar në sektorin e shërbimeve me 8 për qind, në terma vjetorë, ndjekur nga sektori i industrisë me një rritje prej 0.8 për qind. Ndërsa ka shënuar rënie në po të njëjtën periudhë të 2016-ës sektori i bujqësisë, me 3.8 për qind.
Nga të dhënat rezulton se papunësia për të dy gjinitë ka shënuar rënie krahasuar me T3 2016, respektivisht me 1 për qind për meshkujt dhe 1.4 për qind për femrat.
“Shkalla zyrtare e papunësisë për meshkujt është 14,3 % dhe për femrat është 12,6 %. Shkalla e papunësisë për femrat është 1,7 pikë përqindje më e ulët sesa për meshkujt,” thuhet në raport.
Në tendencë rënieje me 1.4 për qind është shfaqur edhe papunësia te të rinjtë, në T3 2016. Edhe për grupmoshën 30-64 vjeç papunësia është ulur me 1.1 për qind në terma vjetorë.
Sa i takon treguesit për popullsinë ekonomikisht jo-aktive, në raportin e INSTAT thuhet se:
“Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2017, 22,1 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 11 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 10 % në paaftësi të përhershme.”
Ndërkohë, evidentohet se rreth 8.9 për qind e popullsisë në këtë grupmoshë deklaruan se nuk po kërkonin, me argumentin se ‘nuk ka punë të disponueshme.’ Përqindjen më të madhe të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë e zënë të rinjtë nga 15-29 vjeç, ku 5.9 për qind e tyre klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Ndërkohë grupmosha 30-64 vjeç përbën edhe 12.5 për qind të popullsisë ekonomikisht jo-aktive.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.