Rritet punësimi, përfitojnë të rinjtë – Industria dhe shërbimet krijuan më shumë vende pune

Në fund të vitit 2017 shkalla e punësimit në vend arriti në 58.2%, duke vijuar rritjen për të pestin tremujor rresht. Rritja është shfaqur më e lartë tek meshkujt, ku në krahasimin me tremujorin e tretë, shkalla e punësimit u rrit me plot 0.9%.
Nga viti në vit, performanca është edhe më pozitive duke shënuar një rritje me 2% në të gjithë vendin.
Rritja i atribuohet kryesisht ritmit të lartë të shtimit të vendeve të punës në sektorin e industrisë, ku në periudhën Tetor-Dhjetor u punësuan 4,5% individë më tepër se në tremujorin paraardhës. Krahasuar me T3 2017, rritja e punësimit ishte e lehtë edhe në sektorin e shërbimeve, ndërsa në bujqësi nuk shfaq ndryshim.
Nëse do të bëjmë krahasimin nga viti në vit, shërbimet rriten punësimin me 8,4%, ndjekur nga industria me 7,3%, ndërsa në bujqësi vihet re një rënie me 1,5%. Kjo përkthehet në punësimin e një pjesë të vogël të punësisë, që deri më parë deklaroheshin si të punësuar në bujqësi.
Rritja e punësimit është shoqëruar edhe me rritjen e pjesëmarrjes në forcat e punës, çfarë ka bërë që shkalla e papunësisë të ulet me vetëm 0,2%. Tashmë norma zyrtare e papunësisë arriti në 13,4%. Tek segmenti i femrave është regjistruar një rritje e papunësisë me 0,3 pikë, për të arritur në 12,9%, që është shkalla më e lartë që prej tremujorit të parë të vitit 2017.

Ndërkohë, papunësia e të rinjve është në ulje edhe për këtë tremujor, duke prekur nivelin e 24,6%, më të ulëtin e regjistruar. Ky tregues bëhet edhe më domethënës nëse llogarisim që edhe në këtë segment ka patur një rritje të pjesëmarrjes në forcat e punës, pra ka më tepër të rinj që kërkojnë punë.
Ulja e papunësisë mes të rinjve ka qenë më e theksuar tek vajzat, duke arritur në 23,1% nga 25% në tremujorin paraardhës.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.