Rritet renta minerare? – Drafti i ministrisë: 13% do i transferohet bashkive ku operojnë kompanitë
Renta minerare që u transferohet Njësive të Qeverisjes Vendore ku ushtrojnë aktivitetin kompanitë e industrisë nxjerrëse do të rritet nga 5% që është aktualisht, në 13%.
Drafti me ndryshimet ligjore është gati nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa burime pranë këtij dikasteri thanë për TV SCAN se ai do t’i dërgohet për mendim Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Të njëjtat burime shtuan se 12% e rentës që paguhet nga kompanitë që ushtrojnë aktivitet minerare dhe hidrokarbur do i transferohet Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
Masa aktuale prej 5% e rentës që mblidhet nga shteti, shpesh herë është konsideruar si tejet e ulët, në raport me dëmet që shkaktohen gjatë aktivitetit të nxjerrjes së mineraleve apo naftës, që kryesisht përkeqësojnë jetën e komuniteteve të zonave ku ato operojnë.
Ndërkohë që rritja e saj ka qenë një kërkesë e vazhdueshme nga ana e përfaqësuesve të shoqërisë civile, pranë Grupit Ndërinstitucional i Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse.
Renta minerare është një taksë e cila mblidhet nga shteti dhe bizneset që shfrytëzojnë burimet natyrore, ndërkohë që përqindja që i kthehet njësive të qeverisjes vendore ku shfrytëzohen këto burime duhet të shkojë për investime konkrete ndaj komuniteteve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.