Rritet sërish numri i ‘shkelësve’ të masave kufizuese – Policia gjobit dhe ndëshkon 629 shtetas, 130 drejtues mjeti dhe 7 lokale
Policia e Shtetit ka njoftuar se në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 130 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ .
- Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 5 shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.
-Sipas njoftimit në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Policisë dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, në 112/129 dhe Komisariatin Digjital, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 629 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur me këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.
- Në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi F. M., banues në Tiranë dhe është proceduar penalisht shtetasi U. A., pasi nuk i janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë për të ndaluar.
- Në Elbasan është arrestuar në flagrancë shtetasi E. P., banues në Përrenjas, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur në masën 1.18 mg/l dhe në kundërshtim me Aktin Normativ.
- Në Fier është arrestuar në flagrancë shtetasi B. B., banues në Fier, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.02 mg/l dhe nuk i ka ndaluar pikës së kontrollit.
- Në Durrës është arrestuar në flagrancë shtetasi M. R., banues në Krujë, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi dhe në kundërshtim me Aktin Normativ.
-Policia bën me dije se në të gjithë vendin janë konstatuar 7 lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të Aktit Normativ Nr. 3.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.