Rritet veriu, bie jugu – Ekonomia sipas rajoneve, Dibra rritjen më të lartë
Qarku me rritjen më të lartë ekonomike në Shqipëri është Dibra. Sipas statistikave më të fundit rajonale të INSTAT dhe që i takojnë vitit 2015, prodhimi në qarkun e Dibrës u rrit me 11.5% në terma realë, duke lënë pas me diferencë të ndjeshme qarqet e tjera të vendit.
Qarku i Durrësit regjistroi një rritje të prodhimit me afro 8.2%, i ndjekur nga Tirana me 5.5%. Sidoqoftë, për nga përmasat e ekonomisë, qarku i Tiranës dha kontributin kryesor në rritjen ekonomike të vitit 2015, me 2.1 pikë përqindjeje, kundrejt një rritje totale që në nivel kombëtar ishte 2.23%.
Në ndarjen e prodhimit kombëtar sipas rajoneve ajo çka bie në sy është që viti 2015 ka qenë veçanërisht pozitiv për veriun e vendit, ku rritja mesatare e të gjitha qarqeve ishte 5.5%.
Përkundrazi, ekonomia e jugut rezultoi në rënie të ndjeshme, mesatarisht me 2.8%. Përcaktuese ishte tkurrja e prodhimit në qarqet e Fierit dhe Gjirokastrës, respektivisht me 6% dhe 5.7%, ndërkohë që edhe Vlora e mbylli vitin me rënie.
Një kontribut pozitiv erdhi nga rritja modeste në qarqet e Beratit dhe Korçës.
Për sa i takon prodhimit për frymë, qarku më i begatë ngelet Tirana, me 679 mijë lekë në vit, i ndjekur nga Fieri me 550 mijë lekë. Përveç tyre, vetëm Gjirokastra dhe Durrësi qëndrojnë sipër mesatares kombëtare prej 496 mijë lekësh. Qarku ku prodhimi për frymë është më i ulët është Kukësi, me vetëm 319 mijë lekë në vit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.