Rritja e borxhit publik gjatë 2020, Civici: “Faktorët që ndikuan, pandemia dhe rritja e shpenzimeve”
Pandemia dhe nevojat e buxhetit për të përballuar shpenzimet, sipas ekspertit të ekonomisë, Adrian Civici janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e borxhit publik, gjatë vitit 2020, që sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, u rrit në 77.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në një intervistë për Televizionin SCAN, Civici u ndal te kujdesi në menaxhimin e borxhit dhe se ku duhet të përdoret ai.
“Askush në parim nuk është kundër borxheve kur ekonomitë janë në vështirësi apo kanë nevojë të stimulojnë rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Por, problem qëndron që duhet të jemi shumë të kujdesshëm që borxhet të përdoren në shpenzime [publike dhe që kanë të bëjnë me rritjen ekonomike dhe rritjen e punësimit dhe jo një kategori që janë shpenzime operative dhe emergjence.
Civici u ndal edhe në rimëkëmbjen e ekonomisë në vitet e ardhshme duke e vlerësuar 2021 si një vit rikuperimi.
“Pavarësisht se në përmasa modeste një pjesë e sektorëve kanë filluar të ristrukturohen dhe përshtaten me kushtet e reja të shkaktuara nga pandemia me ndryshimin e kërkesës, pro edhe me ndryshimin e të gjithë kushteve të bashkëpunimit ndërkombëtar që ne kemi pasur, sidomos industria fason që është shumë e varur nga tregu I huaj dhe në të njëjtën kohë turizmi që është i lidhur direkt me kushtet shtrënguese të pandemisë dhe numrin e turistëve që vijnë në Shqipëri. Mendoj se 2021 mund të jetë një vit rikuperimi I asaj që kemi humbur dhe në 2022, 2023 mund të flasim për një rifillim të një procesi më normal. ”
Sipas Civicit, rritja e borxhit e ndikuar nga faktorët e përmendur nuk është realitet vetëm shqiptar por global.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.