Rritja e cilësisë dhe buxheti për arsimin, Kushi: “Këtë vit buxheti arrin deri në 4.5% te PBB”
Rritja e cilësisë së arsimit dhe buxhetit për këtë sektor janë në fokus të ministrisë së Arsimit. Ministrja, Evis Kushi gjatë raportimit në komisionin parlamentar të edukimit dhe mjetet e informimit publik , u ndal te strategjia për rritjen e cilësisë në sistemin parauniversitar sipas të cilës pritet të përfundoj në janar të vitit të ardhshëm , ndërkohë që buxheti për këtë sektor rritur, sipas Kushit, deri në 4.5% te prodhimit të brendshëm bruto
“Po të përfshijmë edhe rritjen e pagave dhe të gjitha investimet në kuadër të procesit të Rindërtimit, përqindja e arsimit në raport me PBB-në shkon në 4.54%. Janë pesë objektiva kryesore të kësaj strategjie, gjithëpërfshirja dhe barazia në arsim, mësuesit dhe rritja e cilësisë së tyre, zotërimi i kompetencave të nxënit gjatë gjithë jetës, dixhitalizimi i arsimit si dhe manaxhimi dhe sigurimi i cilësisë. Pra të pesë këto objektiva janë pjesë e strategjisë, e cila besoj në fillim të vitit të ardhshëm, në janar do të jenë gati.”
Kushi u shpreh më tej se po vijon puna për tu ardhur në ndihmë nxënësve që aktualisht po mësojnë në klasa kolektive
“Ne këtu në Ministri jemi të angazhuar fort që të punojmë maksimalisht në këtë drejtim. Edhe gjatë pandemisë vëmendja jonë për këto klasa ka qenë akoma më e shtuar, pasi është e qartë që vështirësitë e nxënësve në klasa kolektive është shumë më e madhe.”
Ministrja e Arsimit i është përgjigjur deputeteve edhe për vështirësinë e transportit të mësuesve dhe nxënësve, kryesisht në zonat Rurale, duke deklaruar se janë përcaktuar tashmë kategoritë të cilëve do tu sigurohet ky transport.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.