Rritja e çmimeve – Shqipëria, inflacion 2.5 herë më të lartë se BE

Shqipëria mbajti edhe për qershorin një ndër nivelet më të larta të inflacionit në Europë. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit u rrit sërish në qershor dhe arriti në 3.7%. Ky nivel është më i lartë krahasuar me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe mbi dy herë e gjysmë më i lartë krahasuar me mesataren e Unionit.
Përcaktues në rritjen relativisht të lartë të këtij indeksi ngelet ecuria e çmimeve të ushqimeve dhe pijeve. Sipas INSTAT, çmimet e këtij grupi njohën rritje të lartë edhe në muajin qershor, me 8.8% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Grupi i ushqimeve ka kontribuar me afro 93% të rritjes vjetore të indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit, ndërsa grup-mallrat e tjerë kanë një kontribut modest.
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit synon të japë ecurinë krahasuese të çmimeve me pakicë mes vendeve europiane. Ky indeks mbulon të gjitha shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve. Ndërkohë, në indeksin e çmimeve të konsumit, mbulohen vetëm shpenzimet e familjare private shqiptare të kryera brenda dhe jashtë territorit të vendit.
Sidoqoftë, treguesi statistikor referues për ecurinë e çmimeve në ekonomi ngelet indeksi i çmimeve të konsumit. Sipas këtij indeksi, inflacioni vjetor në muajin qershor rezultoi ndjeshëm më i ulët, në nivelin 2.2%.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.